Të premten, me datë 18 maj 2018, filloi projekti i programit për bashkëpunim ndër-kufitar Shqipëri-Kosovë, financuar nga Bashkimi Europian, "Fuqi Punëtore e Shkathët për Integrim Ekonomik" (SWEI). Projekti implementohet nga Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK) në partneritet me Institutin për Studime Ndërkombëtare (ISI) nga Shqipëria, ndërsa partner institucional të projektit janë: Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Shqipëri (SHKP) dhe Ministria e Punës dhe Mirëqeniës Sociale në Kosovë (MPMS).

Konferenca për fillimin e projektit SWEI u mbajt në Lezhë, Shqipëri. Në këtë konferencë mori pjesë zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, z. Vesel Makolli, drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Shqipëri, znj. Elira Demiraj, drejtori i Agjensionit të Punësimit të Republikës së Kosovës, z. Drin Haraçia, Alessandra Frontoni nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, drejtori i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve Kosovë, z. Lah Nitaj, përfaqësues të Zyrave të Punësimit në Kosovë dhe Shqipëri, subjekte të ndryshme afariste, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera nga Kosova dhe Shqipëria.
Të gjithë përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse në këtë ngjarje e çmuan lartë projektin SWEI dhe shprehen gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe mbështetje gjatë implementimit të projektit.

Projekti SWEI synon të nxisë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave me qëllim të përmirësimit të cilësisë së Shërbimeve të Punësimit dhe Qendrave të Aftësimit Profesional në rajonin ndër-kufitar Shqipëri-Kosovë si dhe trajnimin e të rinjve për të mbështetur integrimin socio-ekonomik.


 

 - Foto te ndryshme nga projekti SWEI -

 

 

 

 

Copyright

Copyright © 2024 International Studies Institute. All Rights Reserved.